2.44 Çka ishte Koncili I i Vatikanit?
Koncili I i Vatikanit u mbajt mes 1869 dhe 1870. Ky ishte një takim mes papës dhe ipeshkvijve. Periudha e shtypjes së Kishës para dhe pas Revolucionit Francez sapo kishte përfunduar dhe në shumë vende po rriteshin ndjenja antiklerikale.
Koncili kërkoi të arrinte një ekuilibër mes intelektit (arsyes) dhe fesë, duke thënë se duhen të dyja për ta kuptuar saktë mesazhin e Jezusit. U dekretua pagabueshmëria e disa deklaratave të caktuara të Papës. Jezusi i dha Pjetrit autoritetin për të udhëhequr Kishën e hershme dhe për të pasur fjalën e fundit në konflikte. Edhe Papa e ka këtë autoritet sepse ai është pasardhës i Sh. Pjetrit dhe udhëhiqet prej Shpirtit Shenjt.
Ne e dimë se Koncili i Parë i Vatikanit u ndërpre për shkak të Luftës Franko-Prusiane, dhe kështu mbeti disi i njëanshëm, i paplotë, sepse doktrina mbi parësinë - e përcaktuar, falë Zotit, në atë moment historik për Kishën, dhe tejet jetik për periudhën që pasoi - ishte vetëm një element i vetëm në një ekleziologji të tejgjerë, tashmë të parathënë dhe të bërë gati. Kështu, na u la një fragment. Dhe dikush mund të thotë: përderisa mbetet një fragment, ne priremi drejt një vizioni të njëanshëm ku Kisha do të ishte vetëm parësia. Kështu gjatë gjithë kohës, qëllimi ishte të përfundonte ekleziologjinë e Vatikanit I. [Papa Benedikti XVI, Takim me klerikët e Romës, 14 shkurt 2013]